Njoftim :Inagurohet Laboratori i Gjuhës Japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës

Shtyp
Krijuar: 10 Dhjetor 2019 Data pubblicazione Vizita: 882

Më 25 Nëntor 2019, u zhvillua ceremonia e inagurimit të Laboratorit të Gjuhës Japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhuratë kjo e Qeverisë Japoneze, në kuadër të "Ndihmës së Granteve për Projektet Kulturore të Japonisë”.

Ky është projekti i parë në Shqipëri i mbështetur nga skema e ODA (Ndihma Zyrtare e Zhvillimit) e qeverisë japoneze "Ndihma e Granteve për Projektet Kulturore ". Ky laborator do të përdoret jo vetëm për gjuhën japoneze, por edhe për klasat e gjuhëve të tjera (si anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht).

Krijimi i Laboratorit të Gjuhës Japoneze do të përmirësojë mjedisin arsimor në klasë dhe mundësinë e studentëve për të qenë në kontakt me gjuhën dhe kulturën japoneze. Për më tepër, kjo strukturë do të shërbejë si një platformë për studentët shqiptarë dhe japonezë për të shkëmbyer njohuri dhe mendime në fushën e shkencës dhe teknologjisë, në të cilën Japonia është një udhëheqëse botërore.

Në ceremoninë e nënshkrimit, Ambasadori i Japonisë, H.E Makoto ITO konfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Japonisë për të arritur trajnime më gjithëpërfshirëse, më cilësore dhe më të thelluara në gjuhën japoneze. Ai gjithashtu shprehu dëshirën e tij që studentët shqiptarë të vazhdojnë studimet në Japoni ose të përgatiten për JPLT (Test Japonisht - Test i Aftësisë Gjuhësore).

Rektori i Universitetit Politeknik, Prof. Dr. Andrea MALIQARI, vlerësoi këtë dhurim dhe shprehu dëshirën dhe gadishmërinë institucionale për bashkëpunim të mëtejshëm, me qëllim forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve përmes shkëmbimit të njohurive në lidhje me shkencën dhe teknologjinë.