Transferimi i studimeve

Shtyp
Krijuar: 23 Korrik 2010 Ndryshimi i fundit: 08 Prill 2022 Vizita: 64981

Transferimi i studimeve

1. UPT ofron mundësi për njohjen e krediteve dhe transferimin e studimeve, midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda UPT-së apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, publike ose private, vendase ose të huaja, dhe lejon largimin e studentëve të tij për në universitete të tjera, sipas procedurave të parashikuara në këtë rregullore. Programet e studimit dhe detyrimet e shlyera në institucione të tjera njihen dhe ekuivalentohen nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm. Njohja dhe ekuivalentimi i krediteve bëhet nga njësia bazë ose njësia kryesore pranë të cilit është paraqitur kërkesa për transferimin e studimeve.
2. Transferimet bëhen brenda të njëjtit cikël studimi dhe në fusha studimi të njëjta ose të përafërta dhe vetëm në fillim të vitit akademik. UPT-ja ofron mundësinë e transferimit të studimeve nga programe të sistemeve të mëparshme të studimeve universitare në UPT, në programe të ciklit të parë ose të integruara dhe të ciklit të dytë të studimeve. Njësia bazë ose kryesore, përcakton në rregulloren e programit të studimit fushat e përafërta të studimit që lejohen për transferimin e studimeve për programet e studimit që kanë nën përgjegjësi.
3. Kuotat e pranimit të studentëve për transferim, në UPT, në të gjitha programet e studimit, bëhen me vendim të SAUPT, mbështetur në propozimet e njësive bazë, miratimin e njësive kryesore dhe të BAUPT, në përputhje me standardet shtetërore, kapacitetet akademike dhe ato infrastrukturore. Këto standarde verifikohen dhe certifikohen nga ministria përgjegjëse për arsimin e lartë.
4. Kuotat në dispozicion për transferimin e studentëve brenda UPT-së ose IAL-ve të tjera përbëhen nga kuotat e paplotësuara nga regjistrimet e vitit të mëparshëm dhe kapacitetet që mund të krijohen, si rezultat i çregjistrimit të studentëve gjatë vitit akademik. Transferimet e studimeve pranohen në fillim të çdo viti akademik, jo më vonë se fundi i javës së dytë të semestrit të parë. Transferimet nga cikli i parë pranohen në përputhje me udhëzimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
5. Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim.
6. Studenti mund të transferojë studimet, midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda UPT-së apo nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, nëse:
a. ka grumbulluar, sipas formulës së pranimit në programin përkatës të studimit, sasi pikësh më të larta se pragu minimal i pikëve, që është arritur në programin e studimit të kërkuar në vitin përkatës;
b. ka fituar jo më pak se 30 kredite në programin përkatës të studimit, nga vjen;
c. plotëson kriteret specifike për transferimin e studimeve të përcaktuara nga njësitë bazë ose njësia kryesore e UPT-së.
d. Në të kundërt, ai mund të fillojë studimet nga e para, duke ndjekur procedurat në hyrje të përcaktuar në kreun III të kësaj rregulloreje.
7. Kriteret dhe procedurat e njohjes së krediteve të fituara përcaktohen në rregulloren e njësisë bazë ose kryesore, në përputhje me ligjin e arsimit të lartë, aktet e tjera nënligjore dhe këtë rregullore. Këto kritere bëhen publike përpara fillimit të aplikimeve për transferim të programit të studimit.
8. Vendimi për njohjen e plotë të krediteve të fituara nga një student që transferohet, i takon komisionit adhoc të propozuar nga njësia bazë dhe të miratuar nga drejtuesi i njësisë kryesore.


Procedurat për transferimin e studimeve

1. Procedurat për transferimin e studimeve fillojnë në përputhje me udhëzimet e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë dhe pranohen në fillim të çdo viti akademik, jo më vonë se fundi i javës së dytë të semestrit të parë.
2. Kandidati paraqet pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimit dokumentacionin e nevojshëm, i cili përbëhet nga:
a. kërkesa drejtuar njësisë kryesore për programin në të cilin do të transferojë studimet;
b. karta e studentit ose çdo dokument tjetër që vërteton statusin e studentit në universitetin nga vjen;
c. vërtetim në lidhje me programin e studimit dhe kursin ku ka qënë i regjistruar, vitin akademik që ka ndërprerë studimet;
d. plani i plotë i programit të studimit, përfshirë dhe sylabuset përkatëse;
e. vërtetim të listës së notave, krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer;
f. vërtetim për pikët e fituara në maturën shtetërore;
g. dokument që vërteton nëse gëzon të drejtë burse ose jo;
h. fotokopje të dokumentit të identifikimit;
i. dy fotografi;
j. kopje të mandat-pagesës.

Studenti që transferohet nga një institucion i huaj i arsimit të lartë duhet të dorëzojë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin: listën e notave, planin e plotë të programit dhe sylabuset përkatëse;
3. Sekretaria mësimore ndjek të gjithë praktikën, sipas udhëzimit të ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë, mbi procedurat e aplikimit të kandidatëve dhe përcjell në njësitë bazë ose njësinë kryesore kërkesat e grumbulluara dhe dokumentacionin e verifikuar.
4. Njësia bazë ose kryesore mund të vendosë kritere specifike për pranimin e transferimit të studimeve, të cilat miratohen në dekanat. Kriteret e pranimit shpallen publikisht me fillimin e procesit të transferimeve në UPT.


Njohja e krediteve

1. Njohja e krediteve të marra nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve në UPT, bëhet nga njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit ose njësia kryesore, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në këtë rregullore.
2. Drejtuesi i njësisë kryesore miraton komisionin adhoc të njohjes dhe ekuivalentimit të studimeve të përbërë nga 3-5 anëtarë të personelit akademik, të propozuar nga drejtuesi i njësisë bazë, për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve në përputhje me kriteret e vendosura dhe kuotat e parashikuara për çdo program studimi, si dhe njohjen e krediteve të fituara prej tyre në programet apo vitet e mëparshme të studimit. Për disiplina të veçanta, kur komisioni e vlerëson të nevojshme, merr mendimin për njohjen e lëndës/modulit nga titullari i lëndës.
3. Komisioni adhoc shqyrton dokumentat e paraqitura nga kandidati, bën njohjen e lëndëve/moduleve që ka dhënë studenti me lëndët/modulet respektive të programit të studimit ku kandidati aplikon. Njohja e lëndëve/moduleve dhe krediteve bëhet duke patur parasysh kreditet e lëndës dhe programin e lëndës.
4. Lëndët e njohura, me kreditet dhe notat e fituara në programin e studimit që ka lënë, pasqyrohen në suplementin e diplomës të programit të studimit që ndjek studenti.
5. Lënda ose moduli ekuivalentohet kur:
a. ka emërtim të njëjtë ose të ngjashëm me lëndën/modulin e programit të studimit ku transferohet;
b. trajton tema të njëjta ose të ngjashme dhe ka përputhje të ngarkesës në auditor në masën mbi 70% të lëndës/modulit që zhvillohet në programin e studimit në UPT.
6. Në funksion të numrit të krediteve të njohura, komisioni adhoc përcakton vitin ku do të regjistrohet studenti, në përputhje me nenet e kësaj rregulloreje si dhe përcakton numrin e lëndëve dhe krediteve që duhet të plotësojë studenti në përputhje me programin e studimit ku është pranuar.
7. Komisioni adhoc bën renditjen e kandidatëve që kanë aplikuar për transferim studimesh, bazuar në pikëzimin për çdo kriter vlerësimi, dhe vlerëson kandidatin me statusin fitues/jo fitues.
8. Komisioni adhoc përgatit dokumentacionin përkatës, për çdo aplikant, dhe ia përcjell atë drejtuesit të njësisë kryesore për miratim.
9. Drejtuesi i njësisë kryesore shpall në mjediset publike të njësisë kryesore dhe në faqen zyrtare të njësisë kryesore listën me renditjen e kandidatëve, sipas afateve të përcaktuara në udhëzimet e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
10. Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit në njësinë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, brenda 3 (tri) diteve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Komisioni i ankimimit, i ngritur nga drejtuesi i njësisë kryesore, shprehet me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda 2 (dy) ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave.


Procedurat e regjistrimit, pas miratimit të transferimit

1. Studenti pas shpalljes fitues duhet të paraqitet pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimeve për t’u regjistruar, duke dorëzuar dokumentin original të çregjistrimit nga IAL që transferohet si dhe të gjitha dokumentat e nevojshme, në përputhje me udhëzimet e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
2. Mosparaqitja për regjistrim, apo mosplotësimi i dokumentave të nevojshme për regjistrim, brenda afateve të vendosura nga udhëzimi i ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë, sjell si pasojë humbjen e të drejtës për regjistrim. Procedurat e mëtejshme të regjistrimit bëhen në përputhje me udhëzimet e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
3. Në momentin e regjistrimit, aplikanti fitues pajiset me dokumentacionin përkatës, të përgatitur nga komisioni i njohjes dhe ekuivalentimit të krediteve, ku tregohet se cilat lëndë/module i njihen, kreditet respektive të fituara, si dhe viti në të cilin do të vazhdojë studimet. Gjithashtu, sekretaria mësimore informon studentin mbi lëndët/modulet të cilat duhet të frekuentojë, në vitet e mëparshme, për shkak të moszhvillimit të tyre në planin mësimor të IAL nga vjen studenti.

Transferimi i studentëve të UPT-së në universitete të tjera

1. Studentët e UPT-së të cilët duan të transferojnë studimet në një IAL tjetër, brenda ose jashtë vendit, në të njëjtin program studimi ose në programe studimi të ngjashme, duhet t’i paraqesin një kërkesë me shkrim drejtuesit të njësisë kryesore të UPT-së.
2. Studentit i vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë: lista e notave dhe kreditet e fituara, sylabuset e lëndëve/moduleve të shlyera, vërtetim nga sekretaria mësimore mbi vitin të cilin frekuenton, etj.


Njohja e krediteve për proces mësimor të realizuar jashtë UPT-së

1. Studentët në UPT, në kuadër të projekteve të ndryshme evropiane, mund të shkojnë dhe të realizojnë lëndë/module në institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, me të cilat UPT-ja ka marrëveshje të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve.
2. Studentëve u njihen kreditet e realizuara gjatë procesit mësimor në institucionin pritës, mbështëtur në marrëveshjet e bashkëpunimit me UPT-në. Lëndët/modulet, që do të realizohen në institucionin pritës, miratohen nga drejtuesi i njësisë bazë përgjegjëse për programin e studimit, dekani dhe drejtuesi i projektit në UPT.
3. Studenti, pas realizimit të procesit mësimor në institucionin pritës, duhet të dëshmojë me dokument zyrtar kreditet e realizuara.
4. Studentit do t’i njihen për ekuivalentim vetëm kreditet e lëndëve, për të cilat është rënë dakord në marrëveshjen e bashkëpunimit. Nëse studenti ka dhënë provim dhe është vlerësuar pozitivisht për lëndë të tjera, të cilat nuk janë në marrëveshje, të pasqyrohen në suplementin e diplomës.
5. Lëndët dhe kreditet e përftuara në institucionin pritës pasqyrohen në suplementin e diplomës së programit të studimit që ndjek studenti.

Njohja e dijeve dhe aftësive profesionale të certifikuara

1. Universiteti Politeknik i Tiranës mund të njohë si kredite të formimit universitar, në programet e veta të studimit, njohuri dhe aftësi profesionale të certifikuara sipas akteve ligjore në fuqi, si dhe njohuri të veprimtarive formuese, të nivelit pas shkollës së mesme dhe që janë në përputhje me objektivat specifikë të programit përkatës të studimit. Në këtë rast, numri maksimal i krediteve të njohura nuk i kalon 60 (gjashtëdhjetë) kredite për programet e studimit të ciklit të parë dhe 40 (dyzet) kredite për programet e studimit të ciklit të dytë.
2. Universiteti Politeknik i Tiranës nuk mund të njohë si kredite formuese universitare njohuri të fituara në programet e studimit të nivelit të shkollave të mesme, pavarësisht orientimit profesional të tyre.
3. Për njohjen dhe ekuivalentimin e këtyre krediteve drejtuesi i njësisë bazë, përgjegjës për programin e studimit, ngre komisionin adhoc të njohjes dhe ekuivalentimit, me të paktën 3 anëtarë, i cili miratohet nga drejtuesi i njësisë kryesore.
4. Komisioni adhoc krahason programin e veprimtarisë formuese të kryer me programet e disiplinave respektive. Në këto raste verifkohen sasia e orëve të zhvilluara, objektivat formuese të kurseve të ndjekura, niveli i certifikatave të marra, përafërsia e programeve të zhvilluara me programet e studimit përkatës, etj.
5. Komisioni adhoc, brenda pesë ditëve pune, merr vendim mbi sasinë e krediteve të njohura dhe ia përcjell atë drejtuesit të njësisë kryesore.
6. Drejtuesi i njësisë kryesore i përcjell këtë vendim të komisionit adhoc sekretarisë mësimore të njësisë kryesore dhe studentit.


Njohja e krediteve të fituara në programet Master profesional

1. Universiteti Politeknik i Tiranës mund të njohë si kredite të realizuara për një program studimi të ciklit “Master shkencor”, kreditet e fituara në programet “Master profesional”, kur ato janë në përputhje me objektivat specifike të programit përkatës të studimit.
2. Për njohjen e këtyre krediteve, drejtuesi i njësisë bazë, përgjegjës për programin e studimit, ngre komisionin adhoc të njohjes dhe ekuivalentimit, me të paktën 3 anëtarë, i cili miratohet nga drejtuesi i njësisë kryesore.
3. Komisioni adhoc verifikon sasinë e krediteve dhe orëve të zhvilluara, për programet lëndore me të njëjtin emërtim ose të përafërta, të zhvilluara në programin e ciklit të dytë “Master profesional”.
4. Komisioni adhoc, brenda pesë ditëve punë, merr vendim mbi sasinë e krediteve të njohura dhe ia përcjell atë drejtuesit të njësisë kryesore për miratim.
5. Drejtuesi i njësisë kryesore i përcjell këtë vendim të komisionit adhoc sekretarisë mësimore të njësisë kryesore.
6. UPT-ja nuk njeh si kredite të realizuara, për një program studimi të ciklit të dytë, kredite të fituara në çfarëdo program studimi të ciklit të parë.

Ndjekja e një programi të dytë studimi

1. Studentët që kanë kryer një program studimi të ciklit të parë ose të ciklit të dytë, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi, në të njëjtin cikël studimi, në përputhje me kriteret e pranimit të përcaktuara në rregulloren e programit të studimit përkatës.
2. Procedurat e aplikimit për program të dytë studimi bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Studentit i njihen kreditet e fituara, në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje.

Ankimimi

1. Në rast se studenti nuk bie dakord me vendimmarrjen e komisionit të njohjes dhe ekuivalentimit të krediteve, ai mund të ankimojë vendimin pranë zyrës së drejtuesit të njësisë kryesore. Në këtë rast, drejtuesi i njësisë kryesore ngre një komision apeli, me tre përfaqësues, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të komisionit të ekuivalentimit.
2. Komisioni i ankimimit rishikon procedurat e ndjekura, dokumentacionin përkatës dhe analizon vendimin e marrë. Në rast se e shikon të nevojshme, komisioni i ankimimit thërret për sqarime komisionin përkatës të njohjes dhe ekuivalentimit ose anëtarë të veçantë të tij. Vendimi i komisionit të ankimimit është i formës së prerë.