Misioni dhe Vizioni

Shtyp
Kategoria kryesore: Universiteti
Krijuar: 24 Mars 2015 Ndryshimi i fundit: 14 Korrik 2023 Data pubblicazione
Super User Vizita: 32788

 MISIONI I UNIVERSITETIT POLITEKNIK TË TIRANËS

Misioni i UPT është kompleks dhe shprehje e qëllimit përse është krijuar ky institucion, përse ekziston dhe se si organizohet dhe mobilizohet ai, që të realizojë detyrat në një periudhë kohore afatgjatë.

Si një institucion i arsimit të lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës ka për mision:

- të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve, si edhe të formojë specialistë të lartë dhe të përgatitë shkencëtarë të rinj;

- të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi i lartë gjatë gjithë jetës në fushat e tij të ekspertizës;

- të ndihmojë zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal;

- të kontribuojë në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit të shoqërisë dhe në përgatitjen e të rinjve për një shoqëri të tillë.

Më konkretisht , Universiteti Politeknik i Tiranës ka një profil të tij dhe në dallim nga institucionet e tjerë të arsimit te lartë shqiptar, ka një mision të diferencuar: mbulon shkencat teknike, duke përgatitur inxhinierë/arkitektë dhe shkencëtare të rinj, të aftë për të zgjidhur detyrat përkatëse në ndërmarrjet industriale, në qendrat e projektimit, në institucionet kërkimore-shkencore, etj.

Detajimi i misionit kompleks të UPT në nën misione është dhe do të jetë një nga detyrat e rëndësishme të këtij institucioni, të cilën ai synon që ta zgjidhë në mënyrë të tillë që ti shërbejë sa më efektivisht nevojave të vendit në përgjithësi dhe nevojave të komunitetit dhe bizneseve lokale në veçanti.

VIZIONI I UNIVERSITETIT POLITEKNIK TË TIRANËS

Universiteti Politeknik i Tiranës e sheh vizionin e tij si një gjendje dhe nivel të ardhëm, si bazën "se ku ai do të shkoje", e paraqitur kjo nëpërmjet objektivave themelore dhe drejtimit të tij strategjik. Në këtë mënyrë, vizioni i UPT përbën shkallën e dytë të procesit të hartimit dhe planifikimit strategjik të tij.

Universiteti Politeknik i Tiranës synon të bëhet qendra më e shquar e arsimit universitar, pasuniversitar, e kërkimit dhe e trajnimit për përgatitjen profesionale dhe shkencore të specialistëve të fushës së inxhinierisë/arkitekturës. Ai do të vazhdojë të garantojë gjithmonë e më mirë kënaqjen e të gjitha nevojave që ka ekonomia jonë, në zhvillimin e saj perspektiv, për specialistët e lartë, të cilët do të kontribuojnë me efektivitet dhe efiçiencë në fushën e industrisë shqiptare. Gjithashtu, UPT synon të bëhet qendra kryesore e kërkimit në fushën teknike, duke grumbulluar kërkuesit më të aftë të cilët do të kontribuojnë, duke u fokusuar në mënyrë selektive në drejtimet prioritare. Duke integruar mësimin me kërkimin shkencor, ky institucion synon dhe do të synojë të përgatisë jo vetëm specialistë të kualifikuar, por dhe

qytetarë të përgjegjshëm dhe të kulturuar në shërbim të shoqërisë, të zhvillimit cilësor dhe të qëndrueshëm të vendit. Në kuadrin e një perspektive ndërkombëtare, UPT synon të aderojë me dinjitet në bashkësinë e universiteteve teknike evropiane, natyrisht duke patur të spikatur veçoritë, që përbëjnë individualitetin e tij.

OBJEKTIVAT E ZHVILLIMIT NË UNIVERSITETIN POLITEKNIK TË TIRANËS

 - Veprimtaria akademike e UPT zhvillohet në përputhje me parimet dhe standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë (HEAL), duke reflektuar parimet dhe objektivat e Procesit të Bolonjës.

- UPT është institucion i arsimit të lartë, qëllimi kryesor i të cilit është përparimi i shkencës, i teknologjisë dhe i arsimit të lartë nëpërmjet integrimit të tyre. UPT promovon dhe rrit rolin e tij në procesin e zhvillimit të shoqërisë, përmes transferimit të teknologjisë dhe informacionit, si edhe shërbimeve për territorin dhe komunitetin.

- UPT promovon kërkimin shkencor bazë dhe të zbatuar; ai siguron koordinimin dhe zhvillimin e projekteve kërkimore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. UPT nxit përftimin e njohurive më të përparuara shkencore dhe teknologjike dhe u jep vlerë ekspertizës dhe aftësive kërkimore të tij në fusha të ndryshme të shkencës dhe kërkimit.

- UPT ofron të gjitha nivelet e arsimit të lartë, që u korrespondojnë niveleve 5, 6, 7 dhe 8 të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve; ai përcakton karakteristikat dhe përmbajtjen e programeve të studimit. UPT nxit konsolidimin dhe përparimin e sistemit formues-edukativ përmes modeleve tradicionalë dhe atyre të rinj bashkëkohorë. UPT përcakton, zhvillon dhe konsolidon mënyrat e kontrollit të dijeve të studentëve sipas parimeve të meritës dhe paanshmërisë.

- UPT mbështet dhe mbron studentët në ushtrimin e të drejtës së tyre për arsim cilësor dhe siguron përfaqësimin e tyre si partnerë të plotë në qeverisjen e tij. UPT përpiqet në promovimin e mirëkuptimit ndërkulturor, mendimit kritik, tolerancës politike dhe fetare, barazisë gjinore, vlerave demokratike dhe qytetare, në mënyrë që të forcojnë qytetarinë Evropiane dhe globale të studentëve, të cilët do të hedhin themelet për një shoqëri gjithëpërfshirëse.

- UPT promovon inovacionin në mësimdhënie në një mjedis ku qendra është studenti, duke shfrytëzuar gjerësisht potencialin e teknologjive të reja në mësimdhënie.

- UPT ofron këshillim dhe monitoron zhvillimin e karrierës akademike të studentëve. Ai ofron shërbime me pikësynim integrimin optimal të të diplomuarve të tij në tregun e punës dhe ndërmerr nisma, që synojnë krijimin e vendeve të reja për punë të kualifikuar. Ruan lidhje kulturore, profesionale dhe personale me të diplomuarit e tij.

- UPT garanton zhvillimin e karrierës së personelit akademik, në respekt të lirisë akademike, meritës dhe në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.

- UPT mundëson kualifikimin e vazhdueshëm të personelit ndihmës-akademik dhe administrativ.