Kreditet, frekuentimi

Shtyp
Krijuar: 29 Shtator 2011 Ndryshimi i fundit: 17 Janar 2020 Vizita: 34370

Kreditet

1. Programet e studimit janë të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite (ECTS). Sasia normale e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite. Në përfundim të studimeve në të gjitha programet e studimit që ofrohen nga Universiteti Politeknik, studenti duhet të grumbullojë të paktën sasinë e krediteve të përcaktuara në pikat 1-4 të nenit 2 të kësaj rregulloreje.
2. Një krediti të formimit të arsimit të lartë i korrespondojnë 25 orë mësimore pune të studentit (1 orë mësimore pune llogaritet 60 minuta). Sasia mesatare e punës së kryer nga studenti gjatë një viti studimesh universitare me kohë të plotë është 1500 orë mësimore (60 kredite), që përfshijnë orë në auditor dhe orë punë të pavarur.
3. Orët e punës së pavarur të studentit, zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve. Ngarkesa mësimore javore në auditor, për leksione, seminare, ushtrime e laboratorë, forma të kontrollit të vazhdueshëm dhe seanca të praktikave të zhvilluara në auditor, është nga 20 deri në 25 (njëzet e pesë) orë mësimore 50-minutëshe.
4. Studenti fiton kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese si: lëndë, praktikë, diplomë, etj., vetëm në rastin e një vlerësimi pozitiv në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tij. Për vlerësimin e dijeve të përfituara përdoren forma të ndryshme kontrolli, që kombinojnë vlerësimin e vazhdueshëm me atë përfundimtar (i cili mund të jetë provim, por jo vetëm).

 

Frekuentimi

Pjesëmarrja e studentëve në mësim

1. Studenti duhet të ndjekë të gjitha format e mësimdhënies së disiplinave të përcaktuara në planin mësimor. Masa e detyrueshme e frekuentimit të tyre ndryshon në funksion të tipit të aktivitetit mësimor që realizohet, duke i klasifikuar pjesërisht të detyrueshme dhe plotësisht të detyrueshme.
a. frekuentimi i leksioneve është i këshillueshëm; 
b. frekuentimi i seminareve dhe ushtrimeve është i detyrueshëm në masën jo më pak se 75% të numrit të seancave të zhvilluara;
c. frekuentimi i punëve laboratorike, punëve praktike dhe praktikave mësimore është plotësisht i detyrueshëm në masën 100%.
2. Për format e mësimit me frekuentim të detyruar, të pjesshëm, kur studenti me ose pa arsye, nuk merr pjesë në mbi 25% të numrit të seancave të zhvilluara në një lëndë, shpallet i paklasifikuar dhe nuk lejohet të shlyejë detyrimet e mëtejshme të asaj lënde. Ai është i detyruar të ndjekë përsëri format e mësimit në vitin pasardhës, me të njëjtën detyrë frekuentimi.
3. Për formën e mësimit me frekuentim të detyrueshëm laborator, kur studenti me ose pa arsye nuk merr pjesë qoftë edhe në një seancë mësimi, departamenti përkatës i krijon studentit edhe një mundësi tjetër për të shlyer frekuentimin e detyruar, para përfundimit të semestrit. Në rastet e përsëritjes së mungesave, studenti i ndjek ato në vitin pasardhës.
4. Për formën e mësimit me frekuentim të detyrueshëm praktikë mësimore/profesionale në terren, kur studenti me ose pa arsye merr pjesë pjesërisht në të, departamenti përkatës i krijon studentit edhe një mundësi tjetër për të shlyer detyrimin e mbetur, para përfundimit të vitit akademik. Në rastet e përsëritjes së mungesave, studenti i ndjek ato në vitin pasardhës.