Diplomimi

Shtyp
Krijuar: 28 Tetor 2011 Ndryshimi i fundit: 08 Prill 2022 Vizita: 83551

Mënyrat e diplomimit

1. Në përfundim të kursit të plotë të programit të studimit, studentët kanë të drejtë të diplomohen në fushën e arsimimit të kryer.
2. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
3. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
4. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
5. Studimet në programet e integruara të ciklit të dytë “Masteri shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
6. Studenti nuk mund të mbrojë tezën e diplomës/të japë provimin e përgjithshëm përfundimtar pa shlyer më parë të gjitha detyrimet dhe pa fituar numrin e krediteve të parashikuara në planet mësimore të programit përkatës të studimit.
7. Studenti, para mbrojtjes së punimit të diplomës/dhënies së provimit të përgjithshëm përfundimtar, duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet financiare dhe materiale që mund të ketë me universitetin, bibliotekën shkencore, bibliotekën kombëtare, konviktet, etj.
8. Njësitë bazë, përgjegjëse për programin e studimit, deri në fund të semestrit të parë, u bëjnë të njohur studentëve të vitit të fundit programet e provimeve të përgjithshëm përfundimtar dhe/ose temat e diplomës.

Teza e diplomës të ciklit të parë të studimeve.

1. Teza e diplomës së ciklit të parë të studimeve është një punim, në formën e një projekti apo përmbledhjeje punimesh të kryera, në fushat e programit përkatës të studimit.
2. Teza e diplomës përmban kërkesa, mënyra e shtrimit të të cilave i jep mundësi studentit, që nëpërmjet njohurive të fituara gjatë periudhës së shkollimit, të tregojë aftësitë e tij për të zgjidhur elementë të veçantë të detyrave projektuese ose/dhe zbatuese, probleme të prodhimit apo për të punuar me literaturën në fushën përkatëse.
3. Teza e diplomës mund të jetë e lidhur me disiplina të përafërta, në kuadër të programit të studimit. Mënyra e organizimit të tyre përcaktohet në rregulloren e programit të studimit.
4. Temat e diplomës dhe specialistët që do të udhëheqin punimin e tyre, miratohen nga njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit. Në përcaktimin e temave të diplomës, njësitë bazë mund të bashkëpunojnë me institutet kërkimore shkencore të UPT-së, si dhe me institucione të tjera, publike apo private.
5. Studenti ka të drejtë të propozojë temën e diplomës që kërkon të zhvillojë dhe udhëheqësin e tij.
6. Njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit, shqyrton kërkesë-propozimet e studentëve, duke i harmonizuar ato me kushtet aktuale.

Teza e diplomës së ciklit të dytë të studimeve dhe programeve të integruara të ciklit të dytë të studimeve.

1. Teza e diplomës së ciklit të dytë të studimeve dhe e programeve të integruara të ciklit të dytë të studimeve është një punë e pavarur dhe krijuese e studentit në formën e një projekti apo studimi me karakter përgjithësues, në fushën e programit të studimit që ka kryer.
2. Teza e diplomës përmban detyra dhe kërkesa në përputhje me përmbajtjen e Nenit 37, mënyra e shtrimit e të cilave i jep mundësi studentit, që nëpërmjet njohurive të fituara gjatë periudhës së shkollimit dhe punës konkrete studimore e projektuese, të tregojë aftësitë e tij profesionale dhe kompetencën për të kryer studime e projektime në fushat përkatëse.
3. Tema e diplomës mund të jetë e lidhur me disiplina të përafërta, në kuadër të programit të studimit.
4. Temat e diplomës dhe specialistët që do të udhëheqin punimin e tyre, miratohen nga njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit. Në përcaktimin e temave të diplomës, njësitë bazë mund bashkëpunojnë me institutet kërkimore shkencore të UPT-së si dhe me institucione të tjera, publike apo private.
5. Studenti ka të drejtë të propozojë temën e diplomës që kërkon të zhvillojë dhe udhëheqësin e tij.
6. Njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit, shqyrton kërkesë-propozimet e studentëve, duke duke i harmonizuar ato me kushtet aktuale.


Përgatitja e tezës së diplomës së ciklit të parë të studimeve.

1. Studenti e zhvillon tezën e diplomës nën drejtimin e një udhëheqësi të miratuar.
2. Udhëheqësit e studentëve, në përgatitjen e tezës së diplomës, miratohen në njësinë bazë, përgjegjëse e programit të studimit.
3. Kriteret që duhet të përmbushë udhëheqësi përcaktohen nga njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit.
4. Numri i studentëve të ciklit të parë të studimeve të cilët mund të udhëhiqen njëkohësisht nga një udhëheqës përcaktohen nga njësia bazë, përgjegjëse e programit.
5. Udhëheqësi i tezës së diplomës përgatit programin e punës së studentit, duke vendosur edhe afatet e përafërta të realizimit të tij.
6. Studenti duhet të respektojë afatet e vendosura për të bërë të mundur mbrojtjen e tezës së diplomës.
7. Udhëheqësi përcakton grafikun e konsultimeve të programuara me studentin, përgjatë të cilave konsultohet dhe kontrollohet puna e bërë, sipas programit të miratuar. Grafiku i konsultimeve është i detyrueshëm të zbatohet nga studenti.
8. Njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit, përcakton në rregulloren e programit të studimit procedurat e ndjekjes së realizimit të tezave të diplomave. 
9. Njësia bazë organizon jo më pak se dy kontrolle të ndërmjetëm, nëpërmjet të cilëve kontrollohet volumi i punës së kryer dhe cilësia e saj. Përgjatë këtyre kontrolleve mund të rekomandohen edhe ndryshime apo përmirësime të programit të tezës, të cilat nuk përmbysin thelbin e punimit. Studenti dhe udhëheqësi mund t’i marrin parasysh rekomandimet e komisionit të kontrollit.
10. Studenti fiton të drejtën për të mbrojtur tezën e diplomës, kur ai ka përfunduar të gjithë programin e punës dhe ka kryer kontrollet në njësinë bazë.
11.  Para mbrojtjes së tezës së diplomës, udhëheqësi rishikon dhe miraton punimin e kryer nga studenti dhe lejon mbrojtjen e punimit, duke firmosur tezën e diplomës.
12. Personeli akademik i përcaktuar për kontrollin e tezave të diplomave plotëson fletën e kontrollit të tezës së diplomës, për çdo student.


Përgatitja e tezës së diplomës së ciklit të dytë të studimeve dhe programeve të integruara të ciklit të dytë të studimeve.

1. Studenti e zhvillon tezën e diplomës nën drejtimin e një udhëheqësi të miratuar.
2. Udhëheqësit e studentëve, në përgatitjen e tezës së diplomës, miratohen në njësinë bazë, përgjegjëse të programit studimit.
3. Kriteret që duhet të përmbushë udhëheqësi përcaktohen nga njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit.
4. Numri i studentëve të ciklit të dytë të studimeve dhe programeve të integruara të ciklit të dytë të cilët mund të udhëhiqen njëkohësisht nga një udhëheqës përcaktohen nga njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit.
5. Udhëheqësi i tezës së diplomës përgatit programin e punës së studentit, duke vendosur edhe afatet e përafërta të realizimit të tij.
6. Studenti duhet të respektojë afatet e vendosura për të bërë të mundur mbrojtjen e tezës së diplomës.
7. Udhëheqësi përcakton grafikun e konsultimeve të programuara me studentin, përgjatë të cilave konsultohet dhe kontrollohet puna e bërë sipas, programit të miratuar. Grafiku i konsultimeve është i detyrueshëm të zbatohet nga studenti.
8. Njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit, përcakton në rregulloren e programit të studimit procedurat e ndjekjes së realizimit të tezave të diplomave.
9. Njësia bazë, përgjegjëse e programit të studimit, organizon jo më pak se tre kontrolle të ndërmjetëm, nëpërmjet të cilëve kontrollohet volumi i punës së kryer dhe cilësia e saj. Përgjatë këtyre kontrolleve mund të rekomandohen edhe ndryshime apo përmirësime të programit të tezës, të cilat nuk përmbysin thelbin e punimit. Studenti dhe udhëheqësi mund t’i marrin parasysh rekomandimet e komisionit të kontrollit.
10. Studenti fiton të drejtën për të mbrojtur diplomën, kur ai ka përfunduar të gjithë programin e punës dhe ka kryer kontrollet në njësinë bazë.
11. Para mbrojtjes së tezës së diplomës, udhëheqësi rishikon dhe miraton punimin e kryer nga studenti dhe lejon mbrojtjen e punimit duke firmosur tezën e diplomës.
12. Drejtuesi i njësisë bazë plotëson fletën e kontrollit të tezës së diplomës, në të cilën regjistrohet kontrolli i kryer dhe vlerësimi me fjalë për të.


Organizimi i mbrojtjes së diplomës

1. Universiteti Politeknik i Tiranës organizon 3 (tri) sesione për mbrojtjen e diplomave: në verë, vjeshtë dhe dimër. Sesionet shpallen nga rektori i UPT-së, në strukturën mësimore të vitit akademik. Datat e zhvillimit të mbrojtjes, sipas sesioneve përkatëse, propozohen nga drejtuesi i njësisë bazë dhe miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore.
2. Përgatitja dhe paraqitja e tezës së diplomës janë të përcaktuara në rregulloren e programit të studimit Të gjitha tezat e diplomave, para se të lejohen për mbrojtje, miratohen nga drejtuesi i njësisë bazë dhe drejtuesi i njësisë kryesore.
3. Teza e diplomës mbrohet para një komisioni të posaçëm i cili propozohet nga drejtuesi i njësisë bazë dhe miratohet nga drejtuesi i njësisë kryesore.
4. Komisioni i diplomës respekton, në çdo rast, për secilin diplomant, procedurën dhe rregullat përkatëse, të përcaktuara në rregulloren e programit të studimit
5. Komisioni i mbrojtjes së diplomave funksionon kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët e komisionit.
6. Mbrojtja e diplomës është publike.
7. Për programet e studimit të ciklit të parë, numri i anëtarëve të komisionit të diplomave është 3 (tre) -5 (pesë), ndërsa për programet e studimit të ciklit të dytë, numri i anëtarëve të komisionit është 5 (pesë) -7(shtatë).

Vlerësimi i punimit.

1. Në përfundim të çdo seance të mbrojtjes së tezave të diplomave, kryetari i komisionit, në prani të anëtarëve, i komunikon çdo diplomanti notën, me të cilën është vlerësuar punimi i tij.
2. Nota është mesatarizim i vlerësimit që ka dhënë çdo anëtar i komisionit. Ajo regjistrohet në proces-verbalin e mbrojtjes së diplomave. Proces-verbali firmoset nga të gjithë anëtarët e komisionit.
3. Në rast se studenti vlerësohet me notë negative në mbrojtjen që i bën tezës së tij, ai mund të rimbrojë të njëjtën tezë ose të mbrojë një tezë të re, në një afat kohor i cili përcaktohet në rregulloren e programit të studimit, pa tejkaluar afatin maksimal të përcaktuar në kornizën ligjore në fuqi.
4. Gjatë periudhës kohore maksimale, të përcaktuar në kornizën ligjore në fuqi, nga koha e përfundimit të studimeve të plota, diplomanti ka të drejtë të mbrojë tezën e tij deri në 3 (tri) herë.
5. Nëse në të tre rastet diplomanti është vlerësuar nga komisioni me notë negative ose ai nuk paraqitet për të bërë mbrojtjen e punimit, brenda afateve maksimale, atëherë studenti humbet të drejtën e diplomimit.