Krijuar: 29 Shtator 2011
Ndryshimi i fundit: 08 Prill 2022
Vizita: 220019
Kuotat e pranimit në programet e studimit të UPT
1. UPT-ja shpall publikisht në faqen zyrtare të institucionit dhe në portalin e Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), programet e hapura dhe ato të akredituara të studimeve, para fillimit të aplikimeve për pranimin e studentëve.
2. Kuotat e pranimit të studentëve në UPT, në të gjitha programet e studimit, bëhen me vendim të SAUPT, mbështetur në propozimet e njësive bazë, miratimin e njësive kryesore dhe të BAUPT, në përputhje me standardet shtetërore, kapacitetet akademike dhe ato infrastrukturore. Këto standarde verifikohen dhe çertifikohen nga ministria përgjegjëse për arsimin e lartë.
3. Në varësi të ecurisë së regjistrimeve, kapaciteti i kuotave të programeve mund të përshtatet nga UPT në përputhje me interesin e studentëve, për programet e të njëjtit cikël studimi, që ofrohen nga njësitë bazë të së njëjtës njësi kryesore, duke mos tejkaluar, në asnjë rast, totalin e kapacitetit të deklaruar të kuotave, të përcaktuar në nivel njësie kryesore.
4. Kuotat në dispozicion për transferimin e studentëve dhe programe të dyta studimi nga brenda UPT-së ose IAL-ve të tjera përbëhen nga kuotat e paplotësuara nga regjistrimet e vitit të mëparshëm dhe kapacitetet që mund të krijohen, si rezultat i çregjistrimit të studentëve gjatë vitit akademik. Transferimet dhe programet e dyta të studimeve pranohen në fillim të çdo viti akademik, jo më vonë se fundi i javës së dytë të semestrit të parë. Transferimet nga cikli i parë pranohen në përputhje me udhëzimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
5. Kuotat në dispozicion të transferimeve mund të shfrytëzohen edhe nga studentë, të cilët ndërpresin studimet në një program për t’u regjistruar në një program të të njëjtit cikël studimi, që i përket një fushe të ndryshme studimesh nga ajo e mëparshmja, nëse numri i krediteve, që njihen nga UPT-ja, është i mjaftueshëm për t’u regjistruar në vitin e dytë të studimeve.
Pranimi i studentëve në programin të ciklit të parë, të integruar të ciklit të dytë dhe të studimit profesional
1. Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë të studimeve, të programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë si dhe të programeve të studimeve me karakter profesional është i mundur për çdo kandidat, i cili ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm ose zotëron një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar nga ministria përgjegjëse për arsimin e lartë, si ekuivalente me të dhe që plotëson kriterin/kriteret shtetërore, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
2. Njësia bazë e UPT-së, përgjegjëse për programin e studimit, mund të vendosë kriter/kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilat propozohen prej saj dhe miratohen në Senatin Akademik. Këto kritere shtesë pranimi për përzgjedhjen e kandidatëve shpallen nga UPT-ja dhe vihen në dispozicion të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
3. Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) koordinon procesin e aplikimit të kandidatëve në UPT për ndjekjen e studimeve në programet e ciklit të parë, atyre të integruara të ciklit të dytë dhe programet profesionale.
4. Njësia bazë, përgjegjëse për programin e studimit, propozon komisionin adhoc për vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, i përbërë prej 3 anëtarësh, i cili miratohet nga dekanati, ku bën pjesë njësia bazë.
5. Komsioni adhoc i njësisë bazë, përgjegjëse për programin e studimit, vlerëson dhe përzgjedh kandidatët fitues, mbështetur në listat e aplikantëve të dërguara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe në përputhje me kriteret e vendosura.
6. Komision adhoc bën renditjen e aplikantëve në varësi të pikëve të grumbulluara prej tyre dhe vendos vijën e kuqe, në varësi të kuotave të ofruara për programin e studimit. Lista me renditjen e kandidatëve afishohet në mjediset publike të njësisë kryesore, në faqen zyrtare të njësisë kryesore dhe të UPT-së.
7. Kandidatët fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në programet e studimi të ciklit të parë të studimeve, të programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë si dhe të programeve të studimeve me karakter profesional nëse mbi bazën e pikëve të grumbulluara, shpallen fitues nga komisioni adhoc i njësisë bazë përgjegjëse për programin e studimit.
8. Kandidatët fitues, të shpallur sipas pikës 7 të nenit 19, fitojnë statusin e studentit dhe kanë të drejtë të ndjekin studimet në vitin akademik përkatës, nëse regjistrohen në sekretarinë mësimore të fakultetit brenda afateve kohore të përcaktuara dhe të shpallura paraprakisht në udhëzimin e ministrisë përkatëse për arsimin e lartë.
9. Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimi të ciklit të parë të studimeve, të programeve të integruara të studimeve të ciklit të dytë dhe të programeve të studimeve me karakter profesional nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht dy programe studimi në UPT, me përjashtim të nxënësve të shkëlqyer.
10. Për t'u regjistruar, studenti paraqet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës dokumentacionin e nevojshëm, i cili përcaktohet në udhëzimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
11. Sekretaria mësimore e njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, përgatit listën e studentëve për t’u pajisur me një numër unik matrikullimi, që e shoqëron deri në marrjen e diplomës për programin përkatës të studimit.
Pranimi i studentëve në programet e studimit të ciklit të dytë
1. Njësitë kryesore të UPT-së, organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave”, si dhe verifikojnë dokumentacionin e pranimit sipas kuadrit ligjor në fuqi. Procesi menaxhohet dhe monitorohet nga Rektorati i UPT-së.
2. Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që:
a) kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë në fushën përkatëse të studimit ose në fusha të tjera të përafërta, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit;
b) janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në çdo rast pranimi, kandidati duhet të ketë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
3. Njësitë kryesore në UPT shpallin publikisht hapjen e procedurave të aplikimit, datat dhe oraret e veprimeve të konkurrimit dhe të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshëm për aplikim dhe regjistrim, si edhe njoftime të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në programet e ciklit të dytë të studimeve.
4. Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, për të gjitha kategoritë e kandidatëve, bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore në UPT.
5. Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë përfunduar të paktën një program studimi të ciklit të parë dhe plotësojnë kriteret e pranimit të përcaktuara nga departamentet dhe miratuar nga Dekanati i njësisë kryesore.
6. Kriteret bëhen publike në faqen e internetit të njësisë kryesore në UPT dhe i vihen në dispozicion Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
7. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i shkencave” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Niveli i njohjes së gjuhës së huaj miratohet nga SAUPT, në përputhje me udhëzimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë, ku përcaktohet dhe tipi i certifikatës së fituar. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
8. Njësia bazë, përgjegjëse për programin e studimit të ciklit të dytë, propozon komisionin adhoc për vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, me të paktën 3 anëtarë, i cili miratohet nga drejtuesi i njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë.
9. Komisioni adhoc i njësisë bazë, përgjegjëse për programin e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, vlerëson dhe përzgjedh kandidatët fitues, mbështetur në vlerësimin e dosjeve të kandidatëve mbi bazën e kritereve të shpallura.
10. Renditja e aplikantëve bëhet në bazë të mesatares së ponderuar të ciklit të parë të studimeve të diplomës bachelor dhe në përputhje me kriteret e tjera të vendosura nga njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, ku prioritet kanë aplikantët që zotërojnë një diplomë Bachelor në të njëjtën fushë në UPT. Komision adhoc bën renditjen e aplikantëve dhe vendos vijën e kuqe në varësi të kuotave të ofruara për programin e studimit.
11. Njësitë kryesore shpallin dhe afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, si dhe në faqet web, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara, për secilin program studimi të ciklit të dytë.
12. Aplikantët, të cilët vijnë nga fusha të njëjta ose të përafërta, ku përputhshmëria e programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë, të shprehur në kredite është jo më pak se 70%, pranohen pa kredite debi në programin e studimit të ciklit të dytë.
13. Aplikantët, të cilët vijnë nga fusha të përafërta ku përputhshmëria e programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë, të shprehur në kredite është më pak se 70%, pranohen me kredite debi në programin e studimit të ciklit të dytë. Departamenti përcakton disiplinat bazë dhe karakterizuese që duhet të japë kandidati, në funksion të njohurive pararendëse që duhet të ketë studenti për të ndjekur programin përkatës të studimit. Numri total i krediteve shtesë për plotësimin e njohurive të tyre nuk duhet të jetë më i madh se 30 kredite.
14. Komisioni adhoc duhet të përcaktojë detyrimet që i lindin aplikantit të shpallur fitues, kur vijnë nga fusha studimi të përafërta dhe t’ia bëjë të njohur atij, përpara regjistrimit të tyre.
15. Drejtuesi i njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit të ciklit të dytë, ngre komisionin e ankimimit, para fillimit të procesit të pranimit të kandidatëve.
16. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në njësinë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Komisioni i ankimimit, i ngritur nga drejtuesi i njësisë kryesore, shprehet me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave.
17. Kandidatët fitues regjistrohen pranë sekretarisë mësimore që mbulon programin e studimit ku janë shpallur fitues.
18. Kandidati nuk mund të ndjekë njëkohësisht dy programe studimi në UPT, me përjashtim të studentëve të shkëlqyer.
19. Sekretaria mësimore e njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, përgatit listën e studentëve për t’u pajisur me një numër unik matrikullimi, që e shoqëron deri në marrjen e diplomës për programin përkatës të studimit.
20. UPT-ja mund të njohë kredite të përfituara në programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me qëllim transferimin e tyre në programet e studimit “Master i shkencave”, duke respektuar procedurat dhe kërkesat e rregullores së zhvillimit kurrikular dhe mësimdhënies, si edhe kornizës ligjore në fuqi.
Pranimi i studentëve në programet e ciklit të tretë “Master ekzekutiv”
1. Njësitë kryesore të UPT-së, organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në ciklin e tretë të studimeve me kohë të plotë, “Master ekzekutiv”, dhe bëjnë verifikimin e dokumentacionit të pranimit sipas kuadrit ligjor ne fuqi. Procesi menaxhohet dhe monitorohet nga Rektorati i UPT-së.
2. Kanë të drejtë të aplikojne për programet e ciklit të tretë "Master ekzekutiv", kandidatët që:
a) kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të dytë "Master i shkencave", i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit;
b) janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të dyte "Master i shkencave ", të licencuar dhe akredituar. Në çdo rast pranimi, kandidati duhet të ketë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
3. Njësitë kryesore në UPT shpallin publikisht hapjen e procedurave të aplikimit, datat dhe oraret e veprimeve të konkurrimit dhe të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshëm për aplikim dhe regjistrim, si edhe njoftime të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në programet e ciklit të tretë të studimeve.
4. Aplikimet në programet e studimit të ciklit të tretë me kohë të plotë, për të gjitha kategoritë e kandidatëve, bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore në UPT.
5. Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur për kandidatët që kanë fituar diplomën “Master i shkencave” ose diplomë tjetër të njëvlershme me të dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga njësitë bazë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë dhe të miratuara nga SAUPT.
6. Kriteret bëhen publike në faqen e internetit të njësisë kryesore në UPT dhe i vihen në dispozicion Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
7. Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë “Master ekzekutiv” është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Niveli i njohjes së gjuhës së huaj miratohet nga SAUPT në përputhje me udhëzimin e ministrisë përkatëse për arsimin e lartë, ku përcaktohet dhe tipi i certifikatës së fituar. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
8. Njësia bazë, përgjegjëse për programin e studimit të ciklit të tretë, propozon komisionin adhoc, me të paktën 3 anëtarë, për vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues, i cili miratohet nga drejtuesi i njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë.
9. Komsioni adhoc i njësisë bazë, përgjegjëse për programin e studimit të ciklit të tretë me kohë të plotë, vlerëson dhe përzgjedh kandidatët fitues, mbështetur në vlerësimin e dosjeve të kandidatëve mbi bazën e kritereve të shpallura në Statut dhe rregulloren e programit të studimit.
10. Renditja e aplikantëve bëhet në bazë të mesatares së ponderuar të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave” dhe në përputhje me kriteret e tjera të vendosura nga njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, ku prioritet kanë aplikantët që zotërojnë një diplomë në të njëjtën fushë në UPT. Komision adhoc bën renditjen e aplikantëve dhe vendos vijën e kuqe në varësi të kuotave të ofruara për programin e studimit.
11. Njësitë kryesore shpallin dhe afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, si dhe në faqet web, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara, për secilin program studimi të ciklit të tretë.
12. Drejtuesi i njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit të ciklit të tretë, ngre komisionin e ankimimit, para fillimit të procesit të pranimit të kandidatëve.
13. Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit në njësinë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Komisioni i ankimimit i ngritur nga drejtuesi i njësisë kryesore shprehet me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin, brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave.
14. Kandidatet fitues regjistrohen pranë sekretarisë mësimore që mbulon programin e studimit ku janë shpallur fitues.
15. Sekretaria mësimore e njësisë kryesore, ku bën pjesë njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, përgatit listën e studentëve për t’u pajisur me një numër unik matrikullimi, që e shoqëron deri në marrjen e diplomës për programin përkatës të studimit.